Mësim online në universitete, ish-ministri i Arsimit: Diskriminohen studentët e varfër, procesi është i pasigurt

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2020, 10:49 | Aktualitet
Mësim online në universitete, ish-ministri i Arsimit: Diskriminohen

Sot, nis viti akademik, por studentët nuk do të ulen në auditore. Ministria e Arsimit ka siguruar se janë marrë të gjitha masat që çdo student të ketë akses online, të paktën në muajin e parë.

Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, u shpreh në A2 se procesi mësimor online është i destinuar të dështojë, pasi një pjesë e madhe, sipas tij, nuk kanë akses në internet.

“Ky vendim nuk u takon thjesht universiteteve, pasi autonomia e tyre nuk mund të shkojë deri te menaxhimi i pandemisë. Unë mendoj se vendimi është i papërgatitur, pasi në 7 muaj nuk ka ndodhur asgjë për digjitalizimin. Së dyti, ne jemi i vetmi vend që deri tani, asgjë nuk u kemi dhënë studentëve për mësimin në distancë. Ata janë tërësisht të pambështetur. Ky proces është i pasigurt për të qenë i suksesshëm. Shumë familje nuk kanë internet dhe kjo është e pamundur. Duhet një akt ekzekutiv, ose një udhëzim i ministrit që të bazohet diku. Studentët janë të pambështetur. Me këtë proces diskriminohen studentët e varfër. Edhe procesi mësimor është i destinuar të dështojë”.

Sa i përket buxhetit të arsimit, Tafaj shprehet se ai është totalisht i pamjaftueshëm, pasi sipas tij universitetet janë në kolaps financiar.

“Jemi në një kohë krize, por të godasësh arsimin, ti thellon krizën. Edhe me këtë proces kështu do të ndodhë. Është shumë e drejtë që i është dhënë prioritet shëndetësisë, por të shohim se çfarë do të ndodhë. Arsimi është i diskriminuar, pasi buxheti është i pamjaftueshëm”, tha Tafaj.

Më tej, ish-ministri i Arsimit theksoi se nëse nuk do të financohet kërkimi shkencor, atëherë, karrierën akademike të rinjtë nuk mund t’ia besojnë mëshirës. “Ata kanë vetëm një rrugë ose do të braktisin universitetet ose do të braktisin Shqipërinë. Kjo po ndodh me të rinjtë. Edhe sot, ka plot programe të mbyllura, do të ketë departamente të mbyllura, do të ketë fakultete të mbyllura. Ata që nuk shkojnë dot janë ata të Shqipërisë pa zë, të Shqipëri së papërfaqësuar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos