
Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 se “mësimi në klasë është i domosdoshëm” dhe shtoi se duhen ndërmarrë të gjitha masat që ky mësim të jetë i sigurtë.
Por, sipas tij, udhëzimi që është hartuar në vendin tonë “është më pak sesa gjysmak”.
“Ai nuk është udhëzim, por udhëzues teknik. Në vendet e tjera, vendime kaq të rëndësishme merren nga kabineti i ministrave. Drejtoresha e Shëndetit Publik nuk ka tagër për të miratuar udhëzim. Minimumi, ky duhet të ishte udhëzim i nënshkruar nga ministri i Shëndetësisë, i Arsimit dhe i Brendshëm”, tha Tafaj.
“Kushtet e higjienës nuk mund t’i lihen shkollave. Higjiena nuk është vetëm dezinfektanti, duhet të ekzistojë infrastruktura që të ketë higjienë. 1/3 e shkollave në vend nuk i plotësojnë kushtet higjieno-sanitare. Drejtori i shkollës nuk bën dot asgjë sepse gjendja fizike e shkollave është detyrë e pushtetit vendor, që ka fondet dhe kompetencat. Nuk është parashikuar buxhet për kushtet e reja të mësimit”, shtoi Tafaj. (A2 Televizion)