Messi ndjen “Dorën e Zotit”: Maradona po na sheh nga lart, shpresoj ta bëjë deri në fund

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2022, 12:48 | Futboll
Messi ndjen “Dorën e Zotit”: Maradona po na sheh nga lart,

Lionel Messi tha se Argjentina ka ndjerë praninë e legjendës së skuadrës, Diego Armando Maradona përgjatë gjithë Botërorit të futbollit, sidomos në fitoren kundër Holandës me penallti, që i siguroi një vend në gjysmëfinale.

Messi ishte protagonist në ndeshjen e të premtes, pasi dha një asist për golin e parë dhe realizoi vetë golin e dytë të Argjentinës me penallti. Holandezët arritën të barazonin, por më pas te penalltitë, amerikano-jugorët u treguan më të saktë dhe iu bashkuan Kroacisë për sfidën e parë gjysmëfinale, që do të luhet të martën, më 13 dhjetor.

“Diego po na sheh nga Parajsa. Po na shtyn përpara dhe shpresoj që të jetë kështu deri në fund”, tha Messi në një konferencë për mediat. “Kur Lautaro shënoi dhe ne u kualifikuam, u gëzuam të gjithë. Hoqëm një peshë nga kraharori”.

Ylli i skuadrës, i cili luan për herë të pestë në Kupën e Botës, pranoi se ndeshja kundër Holandës ishte e vështirë. “E dinim që në fillim se do të ishte kështu. Por në fund u larguam të lumtur dhe shijuam momentin”.

Nëse Argjentina kalon në finale, do të jetë hera e dytë për Messi-n që i shkon kaq pranë Kupës së Botës, pasi në vitin 2014, kombëtare “albiceleste” u mund 1-0 nga Gjermania në kohën shtesë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos