
“Sa herë që kryeministri të më përmendë apo gënjejë nga Vlora, përgjigjen do të vij dhe t’ia jap nga Vlora, se Vlora e meriton të mos jetojë më me gënjeshtra, por me dinjitetin që i takon”. Është kjo përgjigjja e kreut të shtetit ndaj akuzave të kryeministrit Rama, të bëra disa ditë më parë po nga Vlora, ku e akuzoi presidentin se nuk është më president, por është në funksion të LSI-së.
Sipas Metës, kryeministri ka ndërmarrë një fushatë mashtrimi për të zgjatur sistemin e bazuar mbi gënjeshtra.
“Fushatë mashtrimi të kryeorkestruar nga kryeoligarku i Shqipërisë për shkak se do të instalojë një sistem të gënjeshtërt në Vlorë e gjithë Shqipërinë. Nga zyra e kryeoligarkut me të vetmin qëllim për të zgjatur agoninë e një regjimi që bazohet vetëm te gënjeshtrat dhe mashtrimi”.
Ndërkohë deklaratës më të fundit të kryeministrit Rama se më 25 prill shqiptarët do ta dënojnë Ilir Metën, ai iu përgjigj se më 25 prill Shqipëria do t’u takojë shqiptarëve dhe jo oligarkëve.
“Më 25 prill Shqipëria do t’u takojë shqiptarëve dhe jo oligarkëve. Ky është angazhimi im dhe betimi im dhe ky është nga Vlora”.
Meta i kujtoi Ramës se do të shkojë sërish në Vranisht për të takuar banorët, që sipas tij janë kërcënuar pse takuan Presidentin, dhe pohoi që do të takojë çdo banor që e kërkon.
“Do të shkoj përsëri në Vranisht se kanë kërcënuar disa banorë atje, pse janë takuar me presidentin.” (A2 Televizion)