
Presidenti Meta priti në një takim Komisionerin e ri për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Varhelyi në kuadër të vizitës që ky i fundit po zhvillon në Tiranë.
Kreu i Shtetit uroi z. Varhelyi për detyrën dhe vlerësoi angazhimin e tij për përparimin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE.
Ilir Meta shprehu mirënjohjen ndaj Komisionit dhe vendeve anëtare për organizimin e konferencës së donatorëve në 17 shkurt në Bruksel dhe akordimin e ndihmës së 15 milion eurove, pas tërmetit të nëntorit që goditi Shqipërinë.
“Integrimi europian mbetet projekti më i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë dhe përmbushja sa më parë e 9 kushteve të Bundestagut është rruga më e shpejtë për çeljen dhe përparimin e negociatave të anëtarësimit me BE”, tha Ilir Meta. (A2 Televizion)