
Analisti Milaim Zeka u shpreh në A2 se ai parashikon krizë institucionesh në Kosovë pas zhvillimeve të fundit dhe zgjedhjeve të parakohshme që janë në prag.
“Unë parashikoj një krizë totale institucionale, pasi askush nuk e ka pritur që Albin Kurti do ta nominojë Osmanin për presidente. Dihet që VV kanë qenë më të zëshmit në thirrjet e tyre që duhet të jetë një person nga familja Jashari. Me këtë nominim, është parë që Albin Kurti e ka pasur këtë një demagogji, një abuzim me këtë familje, që për fat të keq nuk është i vetmi që abuzon me këtë familje. E dyta, Osmani e ka çliruar LDK-në si partinë më të vjetër, pasi ajo do ta dëmtonte partinë e saj nëse do të dilte me listë më vete.
Unë besoj se elektorati i LDK, të gjithë ata që kanë dashur të votojnë për Osmanin, ose nuk do të dalin në zgjedhje ose do ta japin sërish votën te LDK-ja. Qytetari i Kosovës nuk ka pritur që Osmani të nominohet për presidente, duke e ditur që zgjedhjet presidenciale nuk janë parësore. Qytetari i Kosovës nuk e ka pritur që Vjosa Osmani dhe Albin Kurti të bëjë një gënjeshtër në hava, duke pretenduar se do të fitojnë 81 deputetë. Realiteti momental ekonomik është buzë greminës dhe në vend që këta të flasin për problemet e mëdha sociale, dje kanë folur me të njëjtën gjuhë që ka folur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Haradinaj, Limaj, e gjithë klasa e vjetër politike”, u shpreh Zeka.
Në Kosovë duket se ka një retorikë për të larguar të “vjetrën”, ku Osmani dhe Kurti nuk identifikohen me ta, por Zeka nuk është i këtij mendimi. “Osmani identifikohet 100% me të vjetrën. Ngritjen e saj politike, ajo e ka ndërtuar duke sharë të gjithë krerët politikë të krahut të luftës. Ndërkohë, qytetarët kanë besuar se Kurti është sinonim i një luftëtari kundër krimit, korrupsionit, por ka shenja momentale që na çojnë që edhe Albini është si të tjerët”. (A2 Televizion)