
Mendohej se derbi i humbur do të harrohej kundër një ekip modest këtë vit si Udinese, por kriza e Milanit duhet të jetë më e thellë sesa mendohej.
Fati nuk është me kuqezinjtë, që humbasin portierin Donnarumma dhe brazilianin Paqueta për dëmtim, por pjesa e parë gjithsesi i buzëqesh djemve të Gattusos, që kalojnë në avantazh falë një goli të bomberit polak Piatek.
Milani kërkoi të mbyllte ndeshjen me një seri sulmesh në pjesën e dytë, por duke lënë zbuluar një repart që është treguar hallka e dobët e këtij viti, mbrojtja.
Në një kundërsulm perfekt Udinese arrin të shënoi në minutën e 65-të me Lazagna, duke bërë të hesht spektatorët në San Siro. Me barazimin e sotëm Milani mbetet në vend të katërt, por shumë ekipe mund të përfitojnë tashmë, në veçanti Roma, Lazio dhe Atalanta.
Ndërsa në Cagliari nuk ndalet Juventusi, tashmë pothuajse e sigurt për kampionatin e radhës së fituar.
Një gol i Bonuccit me kokë dhe i talentit Kean në minutat finale i dhurojnë trepikëshin Allegrit, dhe një situatë të vështirë Cagliarit, fusha e të cilës me shumë gjasa do të dënohet rëndë për koret raciste ndaj sulmuesit me ngjyrë të Juves. (A2 Televizion)