
Gjigandi i makinave, BMW do të nisë prodhimin e modelit të ri elektrik Mini Cooper në fabrikën britanike në fund të këtij viti. Prodhuesi gjerman deklaroi se makina e parë pritet të jetë gati për klientët në fillim të vitit të ardhshëm. Hedhja në treg e modelit të ri mund të përkojë me daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian dhe në rast se kjo do të bëhet pa një marrëveshje, mund të sjellë tarifa por edhe ndërprerje të prodhimit.
Më herët, BMW lajmëroi zhvendosjen e një pjese të prodhimit të motorëve jashtë Britanisë për shkak të marrëveshjes Brexit, e cila pritet të ndodhë më 31 tetor të këtij viti. Industria e makinave mund të përballet me tarifa në 10% dhe kosto shtesë nëse Britania largohet nga Bashkimi Europian pa marrëveshje.
Ndërkohë, prej kohësh mbështetësit e Brexit kanë deklaruar se Gjermania do të bëjë të gjitha përpjekjet për të mbrojtur marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve. (A2 Televizion)