Italia po blindohet. Milano pritet të përballet të shtunën me protesta të reja, ndërsa autoritetet italiane kanë ngritur në maksimum masat e sigurisë pas përplasjeve të dhunshme të ditëve të fundit. Qyteti do të blindojë zonat nga stacioni qendror deri në qendër, ndërsa në terren do të angazhohen forca të shumta policore dhe rreth 500 parashutistë të repartit Folgore, me patrullime edhe me autoblinda dhe dronë.
Autoritetet paralajmërojnë se grupe antagoniste dhe anarkiste mund të tentojnë të futen në protesta për të provokuar përplasje me forcat e rendit dhe për ta përshkallëzuar situatën, shkruan A2 CNN. Kryeministrja Giorgia Meloni ka kërkuar që të garantohet rendi publik dhe siguria e qytetarëve, ndërsa paralajmëroi prindërit e atyre që dhunojnë pronën publike dhe private se do të paguajnë për dëmet.
Paralelisht, inteligjenca italiane po heton nëse përplasjet e fundit në Milano mund të jenë nxitur përmes një operacioni të organizuar, duke përdorur atë që është quajtur “modeli Ceuta”. Sipas shërbimit sekret të brendshëm, persona ende të paidentifikuar mund të kenë shfrytëzuar zemërimin e protestuesve përmes rrjeteve sociale dhe fletushkave të krijuara posaçërisht me inteligjencë artificiale.
Deri tani nuk është evidentuar një ‘dorë’ e huaj, por autoritetet po përpiqen të zbulojnë se kush mund të ketë nxitur këtë mekanizëm, ndërsa ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto ka paralajmëruar për rrezikun e një lufte hibride. Përballë frikës për incidente të reja, qeveria italiane synon të parandalojë çdo përshkallëzim, ndërsa protesta e së shtunës shihet si një test i rëndësishëm për kontrollin e rendit publik në Milano dhe në pjesën tjetër të vendit. (A2 Televizion)