Ministri Lleshaj viziton në spital policët e plagosur gjatë protestës

Nga A2 CNN
14 Prill 2019, 09:05 | Kronikë
Ministri Lleshaj viziton në spital policët e plagosur gjatë

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të policisë, kanë vizituar në orët e vona të së shtunës në spital punonjësit e policisë të plagosur gjatë protestës së opozitës.

Lleshaj shkruan në “Facebook” se “organizatorët dhe ekzekutorët e dhunës, kanë sulmuar jo vetëm institucionet kushtetuese dhe policinë, por edhe qetësinë e qytetarëve, rendin publik dhe imazhin e vendit dhe për këto do të mbajnë përgjegjësi ligjore, publike dhe politike”.

“Sapo vizitova policët e plagosur në Spitalin e Traumës. Pasojë e një protestë të dhunshme, të maskuar nga nata dhe maskat e vërteta, si ato që përdor jo rrallë krimi.

Mirënjohje për punonjësit e Policisë shqiptare. Solidaritet me fëmijët, bashkëshortet, nënat dhe familjarët e tyre.

Organizatorët dhe ekzekutorët e dhunës, kanë sulmuar jo vetëm institucionet kushtetuese dhe Policinë, por edhe qetësinë e qytetarëve, rendin publik dhe imazhin e vendit dhe për këto do të mbajnë përgjegjësi ligjore, publike dhe politike. Dhuna nuk është opsion!”, shkruan Lleshaj.

Më herët, Lleshaj shkroi në “Twitter” se janë 5 efektivë policie që po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës. Ndërkohë, Partia Demokratike bën të ditur se 15 protestues kanë mbetur të lënduar në përplasje me policinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos