Momentet që përcaktuan fushatën zgjedhore në SHBA

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2020, 23:36 | Bota
Momentet që përcaktuan fushatën zgjedhore në SHBA

Me Donald Trump që rikandidon për një mandate të dytë, zgjedhjet e 2020-s përvijuan prej fillimit pritshmëri dramatike. Por, ajo që askush nuk e parashikoi ishte një pandemi globale, e cila do të ndryshonte kryekëput çdo aspekt të fushatës zgjedhore.

Le të shohim cilat ishin disa momenteve më përcaktuese të kësaj fushate të pazakontë zgjedhore.

29 shkurt 2020 - Biden fiton zgjedhjet paraprake të Karolinës së Jugut

Pas rezultateve zhgënjyese në zgjedhjet paraprake të Iowas dhe New Hampshire, kandidatura e politikanit veteran Joe Biden, dukej pa shumë shpresa. Por, bashkëpunëtorët e fushatës së tij vlerësuan se gjërat do të ndryshonin shpejt, sapo afro-amerikanët të fillonin të votonin masivisht, dhe kishin të drejtë. Biden shkeli “pedalin e gazit” në Karolinën e Jugut, ku pas një fitoreje të kënaqshme, detyroi një sërë rivalësh në kampin demokrat të dilnin nga skena, një e nga një, duke i hapur rrugën për fazat e mëtejshme të garës. Ai po shihej gjithnjë e më shumë si demokrati më i përshtatshëm, për të orientuar larg Trumpit votuesit e moderuar në shtetet e Midwest e vende të tjera.

“Vetëm disa ditë më parë, shtypi dhe opinionistët e deklaruan të vdekur këtë fushatë. Tani, falë jush, zemra e Partisë Demokratike, ne fituam dhe fituam bindshëm”, shprehej Biden.

11 mars 2020 - Trump mban fjalimin për koronavirusin

Pasi për javë me radhë e minimizoi kërcënimin e koronavirusit dhe ndërsa kurba e infektimeve po ngrihej gjithnjë e më shumë, Trump mbajti një fjalim të rrallë në Zyrën Ovale, në përpjekjen për të qetësuar publikun. “Sot, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli koronavirusin pandemi globale. Kemi qene në kontakt të vazhdueshme me aleatët tanë dhe po aktivizojmë çdo kompetencë të qeverisë federale për të mbrojtur popullin amerikan”, shprehej Trump.

Dy ditë më vonë, ai do të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. Virusi do të riformatonte jetën e amerikanëve, do të çonte në mbyllje të shkollave, bizneseve dhe restoranteve, duke lënë në shtëpi miliona qytetarë, e duke u bërë çështja dominuese e zgjedhjeve. Ai do të nxirrte jashtë pistës së fushatës Trump dhe Biden për muaj me radhë.

8 prill 2020 - Bernie Sanders tërhiqet nga gara

Me një disavantazh bindës ndaj Biden, sa i përket mbështetjeve të delegatëve dhe me koronavirusin që po paralizonte kombin, Bernie Sanders u bë pretendenti i fundit për kandidaturën demokrate që braktisi garën. Ai do të mbështeste Biden disa ditë më vonë, duke siguruar se partia nuk do të përfshihej nga ndasitë, ashtu siç ndodhi 4 vite më parë kur Sanders refuzoi të pranonte disfatën ndaj Hilary Clinton deri në konventën demokrate të muajit korrik.

“Po jetojmë në kohëra të paprecedenta. Prandaj, sot u kërkoj të gjithë amerikanëve, demokratë të pavarur e republikanë, të bashkohen e të mbështesin kandidaturën tënde, ashtu siç do të bëj edhe unë”, shprehej Sanders.

23 prill 2020 - Deklarata kontroverse e Trump për koronavirusin

Me bilancin e viktimave nga koronavirusi që po i afrohej 50 mijë, Trump sugjeroi spontanisht gjatë takimit të përditshëm informues se injektimi i dezinfektuesve të tillë si klori në trupin e njeriut, mund të eliminonte virusin. “Thatë se dezinfektantët e vrasin virusin brenda një minuti. Kështu mund të konsiderohej injektimi i tyre në trup ose mushkëri. Do të ishte interesante ta provonim”, shprehej Trump.

Ekspertët e shëndetësisë reaguan të alarmuar, duke thënë se kjo do të ishte një vetëvrasje. Presidenti bëri një hap prapa dhe tha se po tregohej ironik. Zhurma mediatike që gjeneroi deklarata, ishte një faktor në vendimin e tij disa ditë më vonë, për t’i pezulluar takimet informuese, edhe pse sondazhet gjatë muajit prill treguan se menaxhimi i krizës shëndetësore po i kushtonte shumë mbështetje.

1 qershor 2020 – Protestuesit dëbohen me forcë nga Shtëpia e Bardhë

Uashingtoni u bë një prej dhjetëra qyteteve të përfshira nga protestat paqësore, pas vrasjes së afro-amerikanit, George Floyd, nga duart e policisë në Mineapolis. Më 1 qershor, presidenti amerikan mbajti një fjalim në Shtëpinë e Bardhe duke kërkuar rend dhe ligj, një retorikë të cilën do ta përdorte përgjatë gjithë fushatës.

Trupat e Gardës Kombëtare hodhën spërkatës djegës për të pastruar nga manifestuesit parkun jashtë Shtëpisë së Bardhë, në mënyrë që Trump të parakalonte drejt Kishës së Sant John, e të pozonte me bibël në dorë. Ky u bë një imazh që do ta përndiqte Trump gjatë gjithë fushatës, ndërsa sondazhet treguan se amerikanët mbështesnin masivisht protestat për drejtësinë racore. Mbështetjet për republikanin ranë në nivelin më të ulët në 7 muaj.

11 gusht 2020 - Kamala Harris i bashkohet Joe Biden

Zgjedhja e Kamala Harris, senatore e Kalifornisë dhe ish-rivale për nominimin demokrat, si partnere në garën presidenciale nga Biden, nuk ishte e papritur. Ajo ka qenë prej fillimi favorite, por menjëherë sapo u konfirmua kandidatura për zevendëspresidente, Harris tregoi se ishte gjithçka i duhej Biden. I dha atij një partnere më eksperiencë e një figure të pastër, duke i energjizuar bazën demokrate. Gjithashtu, me aftësinë e mbledhjes së fondeve i çoi kontributet për fushatën e Biden në nivele stratosferike.

“Ashtu siç të thashë edhe ty Joe, kur me telefonove, jam shumë e nderuar nga kjo përgjegjësi dhe jam gati t’i përvishem punës. Jam gati të nis punën”, shprehej Kamala.

18 shtator 2020 - Vdes gjykatësja Ginsburg

Frika më e madhe e liberalëve u bë realitet, pasi anëtarja e Gjykatës së Larte, Ruth Bader Ginsburg humbi jetën si pasojë e kancerit, 2 muaj para zgjedhjeve të 3 nëntorit. Trump nuk hezitoi të mbushte vendin e lënë bosh, duke emëruar gjykatësen Amy Coney Barret e duke i siguruar konservatorëve shumicë bindëse prej 6 me 3 në organin më të lartë të drejtësisë. Një lëvizje e tillë u dha konservatorëve arsye për t'u gëzuar në një vit sfidues për presidentin. Por, kjo mobilizoi gjithashtu demokratët, veçanërisht gratë, ndërsa zyrtarët e lartë të partisë paralajmëronin se tani, akti i kujdesit të përballueshëm shëndetësor i Barack Obamas dhe të drejtat e abortit ishin në rrezik.

28 shtator 2020 - Debati i parë presidencial

I dëshpëruar për një mënyrë për të kthyer trajektoren në favorin e tij, Trump erdhi në duelin e  parë televiziv me Biden i përgatitur për luftë. Ndërpreu vazhdimisht Biden dhe moderatorin Chris Wallace deri në pikën që i gjithë debati doli jashtë kontrollit. Sulmoi familjen e Biden dhe as ky i fundit nuk i kurseu sulmet personale ndaj kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Por, agresiviteti iu kthye mbrapsht me fuqinë e një stuhie, duke thelluar edhe më tej diferencën në sondazhe me 78-vjeçarin. Trump u përpoq të rikuperonte disa nga mbështetjet në debatin e dytë dhe të fundit kur u shfaq shumë më i përmbajtur.

2 tetor 2020 - Trump infektohet me koronavirus

Pas disa javësh tubime me pjesëmarrje masive, e aktivitete në Shtëpinë e Bardhë, ku shpërfilleshin dukshëm rregullat kundër Covid-19, Trump dhe një sërë bashkëpunëtorësh të tij rezultuan pozitivë me Covid-19. Sëmundja dhe periudha e shkurtër e karantinës e mbajti larg fushatës për 10 ditë. Por, dëmin më të madh e mori imazhi i tij. Ndërsa shumica e amerikanëve e kritikonin për menaxhimin e pandemisë, diagnoza e bëri Shtëpinë e Bardhë të dukej e paaftë dhe hipokrite të sigurojë se virusi do të ishte çështja qendrore e fushatës deri në ditën e zgjedhjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos