
Zgjedhja e presidentit në Shtetet e Bashkuara është një problem amerikan, por vendimi që marrin ata prek në mënyrë të pashmangshme të gjithë botën, përfshirë edhe rajonin e Ballkanit perëndimor.
Në vende si Shqipëria apo Kosova, ku Shtetet e Bashkuara kanë qenë historikisht të adhuruara, lidhja me aleatin që ndihmoi në vulosjen e pavarësisë të të dyja shteteve apo fundin e spastrimit etnik në Kosovë, nuk do të ndryshojë pavarësisht atij që do të marrë frerët e Shtëpisë së Bardhë në 4 vitet e ardhshme; qoftë Donald Trump apo Joe Biden.
E megjithatë, qasja e tyre ndaj Ballkanit Perëndimor nuk është e njëjtë. Pasi erdhi në pushtet me moton “Amerika e para”, shumë u frikësuan se biznesmeni pa eksperiencë në politikë, do ta linte në harresë rajonin e trazuar nga konfliktet për t'u fokusuar te çështjet e brendshme. Dhe në fakt, ashtu ndodhi. Të paktën, në pjesën më të madhe të mandatit të tij të parë. Pasiguri të mëdha gjeneroi qëndrimi armiqësor i presidentit ndaj aleancave shumëkombëshe të tilla si NATO, e gjithashtu referencat jo fort të buta ndaj aleatëve ballkanas.
Intervistë për Fox News, 17 korrik 2018
Le të themi që Mali i Zi, që u anëtarësua vitin e kaluar, sulmohet, pse duhet që djali im të shkojë në Mal të Zi ta mbrojë nga sulmi? Pse kështu?
Trump: E kuptoj çfarë po thua. Të njëjtën pyetje kam bërë dhe unë. Mali i Zi është një vend i vogël me njerëz shumë të fortë.
Po, unë nuk jam kundër Malit të Zi, apo Shqipërisë…
Trump: Jo, meqë ra fjala, ata kanë njerëz shumë agresivë. Ata mund të bëhen agresivë dhe urime, jeni në luftën e tretë botërore. Tani unë e kuptoj këtë, por kështu janë ndërtuar gjërat.
Por më vonë, Trump do të përgëzonte Shqipërinë për rolin në NATO duke e marrë si shembull për përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj aleancës. Në 20 dhjetor të 2018, do ta falënderonte qeverinë Rama, për dëbimin e diplomatëve iranianë.
20 dhjetor 2018
“Faleminderit për përpjekjet tuaja të palëkundura për t’i dalë ballë Iranit dhe për t’iu kundërvënë aktiviteteve të tij destabilizuese dhe përpjekjeve për të heshtur desidentët rreth globit. Udhëheqjen që keni treguar duke dëbuar ambasadorin e Iranit në vendin tuaj tregon përvojat tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se aktivitetet e saj terroriste në Europë dhe botë do të kenë pasoja të rënda. Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend mik i shkëlqyeshëm për Shtetet e Bashkuara dhe unë pres që të rrisim partneritetin tonë, ndërsa përballemi me çështje të rëndësishme me të cilat përballen vendet tona”. Ndërsa rikonfirmoi angazhimin për forcim të raporteve me rajonin dhe gjetjen e një zgjidhje për konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti amerikan nuk pati pothuajse asnjë rol, deri në vitin e fundit të mandatit, kur u përpoq të marrë në duar frerët e procesit. Në pamundësi të zgjidhjes së status kuosë politike, ai ndërmjetësoi një ujdi që fokusohej te lidhjet ekonomike e infrastrukturore.
Për analistët, marrëveshja nuk kishte asgjë historike dhe i shërbente më shumë interesave politike të Trump në prag të zgjedhjeve, por ndryshe u përpoq ta shiste presidenti amerikan.
26 tetor 2020
“Kishim Serbinë dhe Kosovën, me të cilët bëmë një marrëveshje. Ata kanë vrarë njëri-tjetrin për vite e vite dhe dekada. Merreshim veçmas me ta. Unë u thashë, miq, nëse nuk e mblidhni mendjen nuk do të merremi më me ju, nuk kemi pse. Unë thashë, prisni pak. Ata kanë luftuar dhe vrarë njëri-tjetrin për shumë vite. Unë u thashë njerëzve të mi: Kërkojuni të punojnë për të arritur një marrëveshje, ndryshe nuk do të bëjmë ujdi me asnjërin prej tyre. E dini çfarë? Ata u përqafuan dhe u puthën në Zyrën Ovale dhe ishin shumë të lumtur. Kjo erdhi pas shumë vitesh. Askush nuk mendonte se do të ndodhte. Ajo marrëveshje ishte më e vështirë se mes Izraelit dhe Palestinës. Me Serbinë dhe Kosovën nënshkruam një marrëveshje. Ata më dhanë një çmim Nobel për paqen për këtë”.
Një fitore e Biden, me shumë gjasë do të shënonte një rikthim në politikën e jashtme të parashikueshme në përgjithësi dhe në Ballkanin Perëndimor në veçanti. Biden është më i familjarizuar me rajonin, ndërsa ka qenë i përfshirë që prej fillimit të viteve 90-të dhe ka qenë prej kohësh mbështetës i pavarësisë së Kosovës. 78-vjeçari publikoi gjatë fushatës letra ku shfaqte mbështetjen për komunitetet ballkanase, diasporat e të cilave synon t'i fitojë në zgjedhje. Për shqiptaro-amerikanët, ai e prezanton veten si një mik të vjetër të Shqipërisë dhe Kosovës dhe të komunitetit në përgjithësi.
Joe Biden ka mbrojtur me vendosmëri pavarësinë e Republikës së Kosovës, e cila është e pakthyeshme sipas ligjit ndërkombëtar. Ka kërkuar drejtësi për krimet e luftës përfshirë llogaridhënie të plotë për personat e zhdukur.
Nëse fiton, Biden është zotuar të përmbysë atë që e quan qasje jo të balancuar të administratës Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë, se do të punojë në bashkëpunim me BE për të rigjallëruar dialogun, se do të respektojë integritetin territorial të Kosovës e se do të inkurajojë BE t'u garantojë shtetasve të këtij vendi libralizimin e vizave. Ish-zëvendëspresidenti ka pjesë të agjendës së tij, forcimin e lidhjeve me Shqipërinë në fushën e mbrojtës, atë ekonomike e tregtare dhe mbështetjen e vendit tonë në rrugën drejt BE. (A2 Televizion)