
Policia e Diyarbakir, një prej qyteteve ne qendër të zonës së goditur nga tërmeti me magnitudë 7,8 i të hënës, ka publikuar pamje vërtet tragjike të asaj që ndodhi më 6 shkurt në qytet. Në pamje shfaqen godinat që shemben njëra pas tjetrës si pasojë e goditjes së parë të rënë rreth orës 4 të mëngjesit, që u pasua nga një tjetër lëkundje thuajse e njëjtë paradite.
Në pamje shihen gjithashtu edhe njerëzit e tmerruar që largohen me vrap teksa pas tyre shembja e godinave lë një hije pluhuri, për shkak të shkatërrimit në pak sekonda të godinave.
Deri tani numri i viktimave të raportuara zyrtarisht i ka kaluar 33 mijë, në Turqi e Siri. Tërmeti konsiderohet si më i rëndi që ka goditur Turqinë që prej vitit 1939. Gati një javë nga goditja, vijojnë kërkimet nën rrënoja e disa herë skuadrat e kërkim-shpëtimit arrijnë të nxjerrin njerëz të gjallë.
Autoritetet janë zotuar të hetojnë të gjithë ndërtuesit e dyshuar se kanë shkelur rregullat në ndërtimin e godinave që janë prishur e deri tani janë arrestuar 113 persona, 33 prej tyre vetëm në Diyarbakir. (A2 Televizion)