“Mos harro Çamërinë”, 78 vjet nga gjenocidi i Greqisë, nis java përkujtimore

Nga A2 CNN
20 Qershor 2022, 15:33 | Aktualitet

78 vitet që kanë kaluar nuk e bëjnë më të lehtë dhimbjen që shqiptarët e Çamërisë kanë përjetuar nga gjenocidi grek. Në aktivitetin me temë “Mos harro Çamërinë” që shënoi nisjen e javës çame, Tasim Demi një prej atyre që humbi pjesëtarë të familjes, solli dhimbjen e tij në sallën plenare të Parlamentit të Shqipërisë.

Nexhat Mërgjyshi, një prej të mbijetuarve të masakrës e cilëson atë që ndodhi në Çamëri si një ngjarje që edhe nazistët do ta kishin zili. “Pra mesazhi ynë është ky: mos të heshtni!”. Thirrjet për drejtësi nuk munguan. “Secili nga ne ka një plagë dhe kjo plagë e qetëson shpirtin kur të shërohet”, tha historiani Hajredin Isufi.

Drejtësinë e munguar, shkrimtari Kim Mehmeti thotë se i takon Parlamentit dhe qeverisë që ta vendosë dhe kjo do të thotë të shohësh nga e ardhmja, por duke mos harruar të shkuarën. “Është e turpshme që një burrështetas shqiptar të mos detyrojë homologun grek të pranojë çështjen çame, është e turpshme të ulesh me Presidentin e Serbisë, i cili ka dalë nga kapota e Millosheviçit”.

Kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, theksoi se kauza që përfaqëson partia e tij nuk do të lihet në harresë. “Fitorja jonë është çështja çame, si një agjendë e ditës dhe jo si një e shkuar për t’u harruar”, tha ai.

Një tjetër çështje të cilës iu mëshua fort ishte ajo e ndalimit nga ana e qeverisë greke të shqiptarëve të Çamërisë për të vizituar vendin e të parëve të tyre. Pak ditë më parë në Tiranë, kur ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, i përmendi homologut grek çështjen çame, Nikos Dendias reagoi ashpër duke deklaruar se sjellja në diskutim e çështjeve që sipas tij nuk ekzistojnë do të çojnë në pasoja të shumëfishta, duke paralajmëruar dhe veto të mundshme në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos