
Çmimi i madh i Austrisë në MotoGP u fitua nga italiani Dovizioso, por do të mbahet mend gjatë për një nga aksidentet më spektakolare dhe të frikshme të viteve të fundit, që për pak milimetra mund të ishte shndërruar në një tragjedi.
Ishte pikërisht xhiro e 9-të kur një duel tejet i ashpër midis Morbidelli dhe Zarco në një nga kthesat e cirkuitit përfundon me dy pilotët që humbin ekuilibrin dhe rrëzohen me shpejtësi marramendëse, ndërkohë që motorët shndërroheshin në predha që në rrotullimin e tyre disa prej dhjetëra metrash për pak sa nuk godasin Vinales dhe veçanërisht mitin Valentino Rossi, që shpëton realisht për disa centimetra nga goditja, me të dy mjetet.
Gara ndalon me flamur të kuq, dhe në rikthimin e saj sheh fitoren e Dovizioso me Dukatin nga e cila do të ndahet në fund të vitit, ndërkohë që Valentino arrin vendin e 5-të. Gjithsesi, italiani çmimin e tij e ka fituar duke shmangur tragjedinë që po i vinte përpara, me shpejtësi të frikshme. (A2 Televizion)