
Kryeministri Edi Rama mungoi edhe në seancën plenare të kësaj të enjteje, duke ia deleguar kompetencat e tij për Interpelancën e kërkuar nga opozita, ministres së Shtetit, Elisa Spiropali.
Opozita këmbënguli njëzëri që në sallë për të dhënë llogari duhej vetë kryeministri pasi interpelanca ishte kërkuar për një çështje që ka lidhje të drejtpërdrejtë me të. Të njëjtin qëndrim, deputetja demokrate Flutura Açka përsëriti edhe në “Intervistë” me Merita Haklajn në A2 CNN.
Sipas saj, nuk është as politike dhe as morale, që kreu i shtetit të delegojë shpjegime që duhet t’i japë vetë.
“U bë disa javë që minohet parlamenti. Sidomos seanca e fundit. Kryeministri e ka detyrim kushtetues, sidomos me çështje me të cilat ka raport të drejtpërdrejtë. Duhet të bëjë shpjegime në vetë të parë për ato raporte që ka krijuar ai vetë personalisht. Nuk është as politike as morale, që t’i delegojë shpjegime që duhet t’i bëjë ai vetë personalisht. Me imunitetin që i jep vetes, ky njeri e ndjen veten edhe mbi parlamentin që është organi më i lartë kushtetues ku duhet të japësh llogari.”
Po ashtu, zonja Açka theksoi se kryeparlamentarja Lindita Nikolla duhej t’i kishte bërë thirrje publike Ramës që të paraqitej në Parlament dhe t’i përgjigjej opozitës në vetë të parë.
“Keqardhjen e kam për zonjën Nikolla, sepse mes tyre është ndër njerëzit më egzigjentë. Dje është gjetur në gabim. Duhet t’i bënte një thirrje publike zotit Rama që të paraqitej në Parlament. Kjo është detyra e kryeparlametarit, jo të kalojë me shpejtësi ligje të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën.”
Për deputeten demokrate, kryeministri Rama po “tregon një arrogancë që ia jep pushteti absolut.”
Kur në fakt, sipas saj, kreu i qeverisë duhej të shkojë në parlament dhe të kërkojë ndjesë për mënyrën sesi është shprehur deri më sot për opozitën sidomos kur bëhet fjalë për “rublat ruse.” (A2 Televizion)