Mungesa e mbikalimeve dhe e standardeve të nënkalimeve në segmenti Kukës -Morinë, vijon të ndajë fshatra në afërsi të Kukësit. Mënyra e vetme për banorët është të kalojnë trafikndarëset e rrugës së kombit, duke rrezikuar jetën e tyre. Janë rreth 700 banorë të fshatit Morinë, që përballen çdo ditë me këtë rrezik sa herë që ju duhet të vizitojnë të afërmit e tyre në varrezat e fshatit por edhe për të mbushur ujë pasi në çezmat e banesave të tyre uji i pijshëm nuk vjen rregullisht.
Por edhe mësuesit që vijnë nga qyteti për të dhënë mësim në shkollën e fshatit rrezikojnë jetën e tyre. Çdo ditë atyre iu duhet të ecin në këmbë 1 km pasi autobusi që i transporton i lë në rrugë. Kjo për shkak se nënkalimi nuk ka standardet për kalimin e mjeteve të mëdha.
Nxënësit përballen çdo ditë me rrezikun e aksidenteve, duke kaluar rrugën e kombit për të shkuar në shkollë, e cila ndodhet buzë këtij aksi ku ka pasur edhe humbje jete.

Ndërhyrjet pa standarde të kompanisë koncensionare për plotësimin e investimeve të munguara ka vështirësuar jo vetëm jetesën e banorëve të fshatit Morinë por edhe funksionimin normal të bizneseve që ndodhen në segmentin Kukës-Morinë të Rrugës së Kombit.
Kryetari i shoqatës ”Biznesi për Biznesin” Sulejman Dida thotë se mungesa e standardeve të nënkalimeve në Rrugën e Kombit i ka zhvlerësuar bizneset duke i çuar ata në falimentin.
Banorët deklarojnë se do të detyrohen të bllokojnë rrugën e kombit deri në zgjidhjen e problemit të tyre.
Kohë më parë kompania koncesionare ka mbyll me “gard-rail” metalike të gjitha shtigjet që kishin akses në këtë segment ndërkohë që një nënkalim i lënë për akses me pjesën tjetër, nuk e kryen funksionin e tij dhe është shumë larg fshatit Morinë. (A2 Televizion)