
Situatë e tensionuar në oborrin e Kuvendit të Kosovës. Qindra qytetarë dhe veteranë u mblodhën sërish për të kundërshtuar projektligjin për pagën minimale. Kërkesa kryesore është tërheqja e këtij projektligji nga qeveria pasi, sipas tyre, shkel ligjin dhe aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Po e mashtrojnë opinionin, jo që po gënjejnë, por po rrejnë. Sepse për Ligjin për Kategorizim decidivisht e thotë në nenin 16 A, pika 3,1 që nuk mund të futet në fuqi Ligji për Kategorizim derisa të kryhet kategorizimi përfundimtar, kategorizim i cili nuk ka filluar që pesë vjet”, u shpreh Faton Klinaku, kryetar i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së.
Kritika të shumta u lëshuan në drejtim të qeverisë dhe thirrje për reflektim.
Protestës së qytetarëve dhe veteranëve iu bashkuan dhe deputetet e opozitës brenda sallës së kuvendit gjatë seancës plenare. Fillimisht, ata goditën tavolinat në shenjë proteste dhe kërkuan që seanca të të ndërpritet.
Rashit Qalaj, deputet i PDK: “Sot të gjithë ne këtu do të duhej të ndiheshim të gjithë të turpëruar, por sidomos ata që votuan e që ishin kundër përfshirjes së veteranëve për marrjen e benefiteve në lartësinë e pagës minimale”.
Arben Gashi, deputet i LDK-së: “Është e pa dinjitetshme, e pa ndershme dhe e pa arsyeshme që veteranët e luftës të trajtohen në këtë mënyrë pa marrë parasysh për bindjet e tyre politike apo veprimet pas luftës”.
Time Kadriaj, deputete e AAK: “Dil kryeministër e Glauk Konjuca shihni para kuvendit që ti e udhëheq… Debatoni me veteranët, me partitë opozitare, bëni një zgjidhje, mos e sillni vendin në një gjendje kaotike, ndoshta ti me qëllim po e dëshiron me ndodhë kjo zhurmë dhe këto protesta”.
Tensionet u rritën brenda sallës së kuvendit kur mori fjalën deputetja e vetëvendosjes, Arbëresha Kryeziu, fjalimi i së cilës u pengua në foltore, ndërsa një prej deputetëve të PDK këputi dhe mikrofonin. Kjo situatë bëri që seanca të ndërpritej. (A2 Televizion)