
Mbyllet në mënyrën më të trishtuar “përralla” e një të riu me një histori të pabesueshme që ëndërronte të kapte majat e futbollit, dhe që për një moment ia arriti.
Është vetë ekipi i Romës që ka zyrtarizuar vdekjen e ish-lojtarit të tij, 21-vjeçarit kamerunez Joseph Bouasse Perfection, për shkak të një arresti kardiak.
Ekipi i serisë A e kishte teseruar atë në moshën 15-vjeçare, në vitin 2015, pasi i bëri përshtypje në një ndeshje që ekipi i Tottit dhe De Rossit luajtën me një ekip amator, Liberi Nantes.
Ata u solidarizuan edhe me historinë adoleshentit, që kishte ardhur nga Kameruni i largët me premtimin e një jete luksi si futbollist, por në fakt ishte braktisur sapo kishte zbritur në stacionin hekurudhor të kryeqytetit italian.
Perfection, përtej mbiemrit, nuk ishte një talent që mund të rivalizonte yjet e Romës në ato vite, por gjithsesi iu bashkua të rinjve të ekipit dhe u stërvit edhe me ekipin e madh, ku u “adoptua” nga Daniele De Rossi dhe Raja Nainggolan, që tani e kujtojnë me trishtim si një person të qeshur dhe serioz.
Pas disa eksperiencave jo të mira në Rumani dhe me Vicencën, ishte rikthyer në Romë për ndonjë mundësi në kategoritë më të ulëta, por fati nuk qe me të. (A2 Televizion)