
Ndërtimi iu bashkohet sektorëve që kërkojnë nga qeveria ulje të taksave. Arben Dervishi, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve shpjegon se ky sektor rëndohet aktualisht nga një barrë e lartë fiskale, si nga qeveria, ashtu edhe nga pushteti vendor. Kosto që në finale iu faturohen konsumatorëve në shitjen e banesave dhe dyqaneve.
Ka një rritje të çmimeve të ndërtimit. Pra, si rezultat i politikave, ose i taksave me të cilat ndërtimi është ngarkuar, sepse është menduar se ndërtimi fiton shumë prandaj duhet ngarkuar edhe me taksa, ne kemi kaluar në rritjen e kostos”.
Arben Dervishi, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve
Vetëm në Tiranë, taksa që paguhet për infrastrukturën është 8% e çmimit të shitjes për metër katror. Ndërtuesit kanë kërkuar që kjo taksë të paguhet me këste.
491 leje ndërtimi vetëm në 6 muajt e parë të vitit
Të dhënat tregojnë se gjatë viteve të fundit, bashkitë kanë lëshuar dorën me lejet e ndërtimit. Rritja ka qenë e ndjeshme pas vitit 2016, periudhë kur përfundoi edhe bllokimi prej më shumë se 3 vjetësh që iu bë ndërtimeve në përgjithësi.
Sipas Institutit të Statistikave, gjatë pjesës së parë të këtij viti, bashkitë kanë dhënë 491 leje ndërtimi në të gjithë vendin, pjesa dërrmuese e të cilave për banim. Kjo shifër përben rreth 60% të totalit të lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë vitit 2017.
Një ecuri e tillë e lejeve po stimulohet nga kërkesa ende e lartë për strehim, çka është reflektuar edhe në tregun e shitjes së pasurive të patundshme, me rritje çmimesh. (A2 Televizion)