
Turizmi është sektori që është goditur më fort nga pandemia dhe ka humbjet më të mëdha në xhiro dhe shkurtim stafi.
Sipas të dhënave të INSTAT për tremujorin e dytë të këtij viti, shitjet për agjencitë e udhëtimit ranë me 85.6%, për hotelet ranë me 63%, ndërsa për baret dhe restorantet me 55.2%.
Rrjedhimisht këta ishin edhe sektorët që shkurtuan më shumë vende pune për këtë periudhë.
Një goditje të madhe mori edhe sektori i transportit, ndërsa tregtia dhe teknologjitë e informacionit patën një tkurrje më të lehtë.
Ndërkohë në industri, rënien më të fortë të xhiros, prodhimit dhe punësimit e pati industria nxjerrëse, ndikuar edhe nga kolapsi i çmimeve të naftës në bursa. Për industrinë përpunuese, ku përfshihen fasonët dhe kompani të tjera eksportuese, rënia e xhiros ishte në nivelin e 16.1%.
Sakaq, ndërtimi është sektori i vetëm që për periudhën Prill-Qershor ka regjistruar rritje në të gjithë treguesit, ndikuar nga procesi i rindërtimit pas tërmetit. (A2 Televizion)