
Liqeni i Fierzës, atraksioni kryesor i turizmit në Kukës është shndërruar sërish në basenin grumbullues të mbetjeve urbane të verilindjes së vendit, Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Sasi të konsiderueshme mbeturinash, kryesisht mbetje plastike, janë shfaqur në breg dhe në sipërfaqen e ujërave të liqenit duke e ndotur atë.
Kjo situatë ne Fierzë është bërë e zakonshme në periudhat pranverë dhe vjeshtë. Ky fakt pranohet edhe nga drejtuesi i agjensisë së mjedisit në Bashkinë e Kukësit, i cili nuk nguron ta cilësojë situatën si katastrofike.
Projektet ndonëse ekzistojnë për pastrimin dhe ruajtjen e liqenit deri më tani nuk janë zbatuar dhe shpresat janë se qeveria Rama 3 të vërë në zbatim ato.
Aksionet e herë pas hershme për pastrimin e vijës liqenore duket se nuk japin efektin e tyre, ndërsa ndotja jo vetëm që dëmton turizmin por edhe ekosistemin e liqenit. (A2 Televizion)