Ruçi uron besimtarët ortodoksë: Gëzimi i Pashkëve largon dëshpërimin dhe ringjall shpresën

Nga A2 CNN
2 Maj 2021, 09:01 | Aktualitet
Ruçi uron besimtarët ortodoksë: Gëzimi i Pashkëve

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka uruar besimtarët ortodoksë për Ditën e Pashkëve. Në mesazhin e shpërndarë nga kreu i Kuvendit thuhet se asnjëherë më parë sesa Pashkët e këtij viti, Ringjallja nuk ka pasur këtë domethënie, shkëlqim e frymëzim për të gjithë besimtarët dhe qytetarët. Ai thotë se gëzimi i Pashkëve shpërndahet si drita e diellit, largon dëshpërimin dhe ringjall shpresën.

“Gëzimi i festës së Pashkëve rrezaton e lumturon të gjithë besimtarët e qytetarët. Është një shpresë se ata që bien në varfëri mund dhe do të dalin prej saj; ata që pushtohen nga urrejtja e mëritë duhet dhe do të çlirohen prej tyre; ata që humbasin fuqinë dhe besimin, një ditë do t’i rifitojnë ato.

Gëzimi i Pashkëve shpërndahet si drita e diellit. Rrezet e dritës largojnë natën dhe sjellin ditën; rrezet e gëzimit paskal largojnë dëshpërimin dhe ringjallin shpresën e besimin.

Sakrificat e kohës së pandemisë na treguan se sa shumë dashuria dhe lumturia njerëzore është e kushtëzuar nga shëndeti i të gjithëve. Na treguan se shëndeti, mirëqenia dhe siguria e çdo njeriu dhe e çdo kombi janë të varura nga ato të kombeve të tjera”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos