
Bojkotimi pa afat i seancave gjyqësore nga avokatët në mbarë vendin u thye nga disa prej tyre edhe në ditën e dytë të tij në Gjykatën e Tiranës. Dhjetë persona të arrestuar nga policia e kryeqytetit gjatë 72 orëve të fundit dolën para gjyqtarit Artan Gjermeni për caktim të masës së sigurisë, ku u përfaqësuan me avokatë kryesisht.
Ndryshe u paraqit situata me seancat e çështjeve në themel, të cilat dështuan thuajse të gjitha për shkak të mosparaqitjes së mbrojtësve. Bojkoti total ka gjetur mbështetje edhe nga anëtarët e Shoqatës së Avokatëve Penalistë, të cilët do të kërkojnë ndërhyrje të ministrit të Drejtësisë. Avokati Saimir Vishaj kërkoi reflektim nga KLGJ, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së avokatëve në masat e sigurisë.
Prej të enjtes avokatët në gjithë vendin bojkotojnë seancat në shenjë kundërshtie me hartën e re gjyqësore, sipas së cilës shkrihen 18 gjykata. Harta e re është miratuar nga KLGJ, Prokurori i Përgjithshëm dhe KLP, ndërsa pritet të marrë dakordësi edhe nga Ministri i Ekonomisë, para se të dërgohet për miratim në qeveri. (A2 Televizion)