
Me nënshkrimin e marrëveshjeve në Samitin e Berlinit, për Ballkanin Perëndimor mund të hapet një fazë e re në marrëdhëniet me vendet europiane, por edhe mes tyre.
Sipas profesorit dhe pedagogut Lisen Bashkurti, marrëveshjet e sotme shënojnë një hap cilësorë nga ato të Open Balkan.
“Procesi i Berlinit buron drejtpërsëdrejti nga BE dhe i shërben për integrimin e këtyre vendeve në BE, nuk duhet parë si proces i ndarë. Po ndodh në kushte gjeopolitike shumë të veçanta, dhe merr një rëndësi të veçantë, me një Bashkim Europian më solid dhe të orientuar drejt Ballkanit Perëndimor, dhe kjo shpjegon pse liderët ballkanike i janë përgjigjur pozitivisht”.
Por a përfaqësojnë këto marrëveshje, veçanërisht ato për qarkullimin e personave dhe njohjen e diplomave, fundin e Open Ballkan?
“Marrëveshjet e firmosura në Berlin janë nga pikëpamja juridike të kopsitura, me format europian dhe janë instrumente që kalojnë procesin e skanimit automatikisht, përafrohen me acquis comunitaire, pra marrëveshjet kanë dimension europian, gjë që nuk mund të thuhet tek ato të nënshkruar nga trojka e Open Balkan”, sqaron Bashkurti.
Në çdo marrëveshje ballkanike, sipas tij, “thembra e Akilit” ka qenë “implementimi i marrëveshjeve, sepse shumica prej tyre nuk ishte në formatin europian, dhe gjatë vlerësimit për anëtarësimin mund të bien, ndërkohë që ato të Berlinit përbëjnë hapa lehtësuese që do të kenë një paketë financiare që do t’i bëjnë më të implementueshme”.
Diplomati, i ftuar në ”Debat” shkon në detaj. “I rëndësishëm donacioni 1 miliard për energjinë, por jashtëzakonisht e rëndësishme edhe vëmendja e BE për ndërhyrjen gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor, që zbeh influencën ruse dhe atij shteti që orientuar në mënyrë bivalente, Serbinë.
Ekonomia dhe stabiliteti janë leva që do të përshpejtojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ka një Project i njohur si iniciativa franko-gjermane, akti kryesor i diplomacisë europiane për zgjidhjen përfundimtare të këtyre marrëdhënieve.
Sipas tij, kjo iniciativë synohet “zgjidhja përfundimtare, ku objektivat janë stabilizimi i marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, e dyta është të tërhiqet Serbia nga politika bivalente euro-ruse, dhe në fund që vendet e Ballkanit Perëndimor të orientohen definitivisht nga ana euroatlantike” . (A2 Televizion)