Operacion si në filma në tunelin e Murrizit, kapet "transportuesi" me kallashnikovë

Nga A2 CNN
27 Gusht 2025, 09:23 | Kronikë

Në një operacion të zhvilluar brenda tunelit të Murrizit, efektivë të policisë së Tiranës kanë arrestuar një 22-vjeçar që transportonte armë zjarri nga Burreli në drejtim të kryeqytetit.

Sipas policisë, në operacionin e koduar “Tuneli” u sekuestruan 2 kallashnikovë që do të shiteshin për llogari të grupeve kriminale.

Gjithashtu janë gjetur 4 krehra për armët e zjarrit, të cilat janë sekuestruar së bashku me automjetin dhe celularin e 22-vjeçarit.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë siguruar informacion se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet. Si rezultat i administrimit të shpejtë të këtij informacioni është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar “Tuneli”, gjatë të cilit u arrestua shtetasi: A. D., 22 vjeç, banues në Burrel.  Gjatë operacionit, në tunelin e Murrizit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin që drejtonte 22-vjeçari, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën të fshehura në bagazh, 2 armë zjarri kallashnikov dhe 4 krehra për to”, informon policia.

Sakaq sipas Bluve, vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Mbi të riun ndërkohë rëndojnë vepra penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos