
Kryeministri Edi Rama vlerësoi marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, të cilat i quajti tepër të rëndësishme, edhe pse, siç tha, ishin miratuar më parë mes shteteve në kuadër të Ballkanit të Hapur.
“Është shumë e rëndësishme ajo që nënshkruam sot. Nuk mund të mos theksoj se këto marrëveshje ishin tri marrëveshje të cilat prisnim me padurim t’i kishim prej dy-tri vitesh, ishin të bllokuar. Kancelari, ekipi i tij, punuan shumë për të bindur gjithkënd për t’i nënshkruar, të cilat i kishim tashmë në kuadër të Ballkanit të Hapur. Është shumë e rëndësishme që gjithkush është përfshirë tani në këtë. Sigurisht tingëllon e çuditshme për popullin e Kosovës që ndërkohë që ata bënë një marrëveshje për të lëvizur lirisht me kartat e identitetit, ata nuk mund të lëvizin lirisht si të tjerët në rajon kur vjen fjala për të shkuar në vendet e BE-së”, tha Rama në një konferencë për mediat me Kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Marrëveshjet e nënshkruara
1. Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor;
2. Marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor;
3. Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore
Kryeministri kërkoi më shumë mbështetje në fushën e sigurisë kibernetike. “Shpresoj që të shohim ecuri në sferën digjitale, sepse këto ishin tre shtyllat e Procesit të Berlinit që në ditën e parë: energjia, ndërlidhshmëria dhe pjesa digjitale”.
Ndiqni konferencën live (A2 Televizion)