
Kosova nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të votohet për referendumin kushtetues të Serbisë. Krerët e shtetit, presidentja, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti, dolën me një qëndrim zyrtar pas një takimi që zhvilluan me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Bashkimit Europian.
Ata bënë me dije se serbët e Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën Ndërlidhëse.
“Institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës”, thuhet në deklaratën e krerëve të shtetit të Kosovës.
Krerët e shtetit theksojnë në deklaratën e përbashkët se kundërshtimi i Kosovës nuk është në drejtim të OSBE-së, por ndaj Serbisë dhe strukturave paralele të saj që kërkojnë ta konsiderojnë Kosovën ende pjesë të Serbisë.
Në përfundim të takimit, kryeministri Kurti bëri dhe një njoftim të rëndësishëm për media.
“Unë po shkojnë kryeministri për të përgatitur thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës për nesër në ora 14:00”.
Në linjë me qëndrimin e qeverisë janë dhe partitë opozitare. Ato kundërshtojnë që serbët e Kosovës të votojnë për referendumin për ndryshime kushtetuese të Serbisë duke theksuar se kjo përbën shkelje të Kushtetutës dhe sovranitetit. (A2 Televizion)