
Protestat e dhunshme dhe të paprecedenta në Uashington, përtej indinjatës për pamjet, mund të përcjellin një leksion të madh demokracie, edhe në Shqipëri.
Për këtë është i bindur, Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB dhe ekspert i politikës ndërkombëtare.
“Pamjet ishin tronditëse, si edhe aktet e kësaj administrate. Por, ka edhe një mësim të madh. SHBA ka aftësinë të rregullojë proceset e atyre që devijojnë. Pra, forca e demokracisë amerikane është ajo për të korigjuar veten. Dje u ndjeva krenar që njerëzit në Amerikë mbronin çështjen e vendit të tyre dhe demokracisë, ndërkohë që vende të tjera po shndërrohen në demokraci hibride”.
Nesho bën një paralel me situatën shqiptare. “Më thoni kush e konteston në Shqipëri, kryeministrin Rama? Në SHBA askush nuk është sipër ligjit, dolën vetë ministrat duke kundërshtuar Trump, i thanë që ata nuk i shërbejnë një individi, por popullit, duke ditur që të mbronin vlerat e tyre”, thotë ai për A2.
Për sa i përket zgjedhjeve, ai thotë se “të gjithë e dinin që zgjedhjet ishin fituar nga Biden, por Trump dëshiron të mbajë gjallë frymën e ''trumpizmit'', në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme, në 2024. Në këtë lojë politike ranë ata militantë që besojnë”, siç u pa edhe gjatë protestave të djeshme.
Por, këtu vjen edhe një tjetër mësim i madh, sipas Neshos, edhe për shqiptarët. “Në SHBA nuk tolerohen efekte sporadike ku disa mashtrues kërkojnë të futen në histori, duke gënjyer elektoratin. Dhe ky duhet të jetë një inspirim edhe për ne në Shqipëri, për të kryer ndryshimet e nevojshme", thotë ai. (A2 Televizion)