
Tensioni ndërkombëtar dhe rajonal po arrin majat me vendin e presidentit rus për mobilizim të pjesshëm në Ukrainë, dhe kërcënimet edhe bërthamore.
Për diplomatin Agim Nesho, “Rusia e ka humbur luftën, Ukraina po kundërsulmon duke marrë territore të konsiderueshme. Por Putini po ballafaqohet me një rebelim të brendshëm, dhe masa e mobilizimit do të thotë se nuk ka më mundësi në aspektin ushtarak, e ka konsumuar, dhe nga ana tjetër opinioni publik po del kundra hapur, duke parë numrin e ushtarëve të vdekur. Ai përpara këtij dështimi kërkon një zgjidhje”.
Por tentativat e Putin për përmbysjen e rendit botëror kërkohet të shmanget nga Uashingtoni. Presidenti amerikan Biden propozoi ndryshimin e këshillit të sigurimit me hyrjen e një tjetër anëtari të përhershëm, nga lista e pritjes që përfshin Gjermaninë, vende arabe dhe fuqi të tjera në zhvillim.
“Biden përkrahu një iniciativë. Këshilli i Sigurimit tani nuk është efikas për ruajtjen e paqes. Rusia pengon realizimin e ndërhyrjes ndërkombëtare në një rast të tillë, sepse ka veto. Biden përkrahu idenë që OBK nuk mund të mbetet irrilevante, si i vetmi forum ndërkombëtar i ngarkuar me misionin e mbarëvajtjes së paqes botërore. Kërkohet pra fillimisht një reformë e Këshillit të Sigurimit, në mënyrë që edhe anëtarët e përhershëm me veto mos të kenë të drejtë të pengojnë vendimin kolegjial të Këshillit të sigurimit, kur janë vetë autor të akuzuar për një agresion, si në rastin rus.
E dyta, për të relativizuar të drejtën e këtyre 15 anëtarëve, Biden deklaroi se ka nevojë të ketë një mekanizëm tjetër, gjithëpërfshirës dhe me një shpërndarje më të drejtë, që të përfaqësojë kontinentet e ndryshme”, ishin fjalët e ish-ambasadorit për A2 CNN.
Vucic ka qenë gjithashtu protagonist, duke theksuar rrezikun për luftë dhe duke paralajmëruar vendime të forta për vendin që drejton, në ditët e ardhshme.
Sipas Neshos, nuk ka rrezik konkret për Kosovën. “Potencial rreziku ka, se Serbia është vend satelit i Rusisë, Putin do ta përdorë atë por Beogradi është i lëkundur, dhe politika serbe shkon drejt qasjes të një vendi të paangazhuar. Çfarë do të thotë kjo? E para të kthejë Serbinë në forcë dominonte në Ballkan, nga iniciativa si Open Ballkan, që është një devijim nga rrugëtimi drejt Bashkimit Europian. Vucic po fryn angazhimin e Titos të paangazhimit, që të rikujton Luftën e Ftohtë. Shqipëria në këtë lojë nuk ka rënë thjesht në grackë, por janë interesat e pushtetit të korruptuar që kërkon një rrugëdalje”, deklaroi ai. (A2 Televizion)