Mbrëmjen e të shtunës, e ashtuquajtura hëna blu u shfaq në të gjithë globin, ku njerëzit nga e gjithë bota, përfshi edhe Shqipërinë, patën mundësi të shihnin hënën e dytë të plotë brenda një muaji.
Edhe pse quhet hëna blu, ajo nuk ka këtë ngjyrë. Kalendari hënor ka afërsisht 29 ditë për çdo cikël, ndërsa muajt e kalendarit që ne përdorim sot kanë 30 ose 31 ditë. Kështu që, herë pas here, do të mund të shohim 2 hëna të plota në një muaj kalendarik. Kur kjo ndodh, hëna e dytë quhet “hëna blu”. Dhe kur kemi 2 hëna të reja në një muaj kalendarik, e dyta quhet “hëna e zezë”, e cila është e vetmja e cila ka edhe ngjyrën që përshkruhet në emër, pasi është e vetmja që nuk shihet nga syri i njeriut, pasi shfaqet me ngjyrë të zezë.
E si për ta bërë edhe më të veçantë ngjarjen, kjo ishte hera e parë që prej vitit 1944 që hëna blu shfaqet në të gjithë botën mbrëmjen e Halloween. (A2 Televizion)