Nga Turqia e Serbia, në rezidencën letrare shqiptare

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2021, 11:21 | Aktualitet
Nga Turqia e Serbia, në rezidencën letrare shqiptare

Shtëpia e Umberto Ecos me siguri është vendi ku do të donin të shëtisnin gjatë dashamirësit e librit, ata që punojnë me të, autorët, përkthyesit... Vetëm duke e parë, kjo shtëpi me shumë art brenda, është një nga ato që miqtë besnikë të librit ëndërrojnë ta kenë për vete.

Është si një pjesë e shtëpisë së ëndrrave. Por, prej vitesh, disa shtëpi të shkrimtarëve të njohur janë hapur për rezidenca letrare. Në Shqipëri, ky nuk ka qenë një realitet për shkrimtarët, por thuajse për një dekadë edhe shkrimtarët tanë kanë aplikuar për rezidenca letrare. Shtëpia e një shkrimtari të madh me siguri i ka frymëzuar shumë prej tyre.  

Pak vite e shënjojnë Shqipërinë si një vend mikpritës për shkrimtarët e huaj. Por, ne do t’ju prezantojmë dy prej tyre. Dy prej atyre që kanë qëndruar gati një muaj në Tiranë, por që kanë shëtitur edhe në vende të tjera për të njohur më shumë vendin tonë, për t’u frymëzuar, për t’u takuar me të rinjtë, me autorët e këtij vendi, me përkthyesit apo shtëpitë botuese. Takime të cilat shërbejnë për të prezantuar letërsinë e shkruar deri më tani, por edhe takime të cilat të frymëzojnë të shkruash të tjera histori.

Ata janë Mehmet Berk Yaltirik nga Turqia dhe Xhorxh Bozoviç nga Serbia. Në bibliotekën që mund të pasurohet me veprat e Mehmet Berk Yaltirik me siguri do të gjenim shumë legjenda, mite e personazhe historike të rrethuar nga misteri dhe thrilleri. Fantazia në librat e tij, ndërthurur me historinë për të cilën ka studiuar, bëhen bashkë, por fatkeqësisht veprat e tij nuk i kemi ende në shqip. Në të gjitha takimet me të, Yaltirik shprehet se kjo rezidencë po e ndihmon të njohë edhe përkthyesit apo botuesit që do të mund ta sjellin veprën e tij në shqip.

Ka fituar disa çmime letrare që nga viti 2013, kur edhe prezantoi tregimet e tij plot thriller dhe ngjarje që lidhen me mitet e Ballkanit dhe një muaj në Shqipëri shpresoj ta kenë ndihmuar që mes njerëzve të letrave që ka takuar të ketë gjetur përkthyesin dhe botuesin e tij.

Një muaj në Shqipëri ka qëndruar edhe pedagogu dhe përkthyesi i gjuhës shqipe në Beograd, Xhorxh Bozoviç. Dhe gjatë këtij muaji, nuk mund t’i shpëtonte profesionit të tij si lektor. Ne e ndjekim në një takim në Departamentin e Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike me studentët dhe përgjegjësin e departamentit, profesorin Adriatik Derjaj.

Në këtë takim, u diskutua për organizimin e një workshop-i me pedagogë e studentë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja mbi përkthimin letrar në tërësi dhe përkthimet nga gjuha shqipe në gjuhët e rajonit. Bozoviç, i cili ka përkthyer autorë në serbisht, autorë si Arian Leka, Luljeta Lleshanaku epo edhe “Kurbanin” e Edi Ramës, ka ndarë me studentët e fakultetit tonë këtë përvojë të shkëmbimit të kulturave përmes librit. Në kuadër të projektit READ-Regional Network for Cultural Diversity, 10 autorë nga rajoni përfituan nga 1 muaj rezidenca në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Turqi e Serbi.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos