
Alfred Peza, sekretar për marrëdhënien me median në PS, ishte i ftuar në Ditarin e mëngjesit në A2 nga ku foli për zhvillimet e pritshme politike në vend pas zgjedhjeve të 25 prillit, si dhe ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura së fundmi.
Peza komentoi shpalljen “non grata” të Berishës, duke thënë se PD-ja nuk duhet të mbajë dy standarde. “Unë jam i shqetësuar për rimëkëmbjen e opozitës si çdo shqiptar, por si socialist nuk jam i shqetësuar fare. Si qytetar duhet të jemi të shqetësuar për atë që na pret në shtator, pasi opozita ka disa sfida, jo vetëm për nxjerrjen e mësimeve nga humbja e zgjedhjeve, por mbi të gjitha pas vendimit të DASH për të shpallur “non grata” liderin historik të kësaj partie. Nga ana tjetër, për të parë opozitën që të mos veprojë me dy standarde, që t’i kërkojë partive të tjera, politikanëve të tjerë, të zbatojnë një standard të caktuar kur ata futen në listën e zezë të DASH dhe të mos e zbatojë këtë standard për partinë e tyre, për Sali Berishën, për deputetin e Tiranës të PD-së”, tha Peza.
Ai komentoi edhe ngjarjet e fundit kriminale në vend. “Sigurisht që jam i shqetësuar. Çdo jetë e humbur është për t’u shqetësuar, çdo ngjarje kriminale është për t’u shqetësuar dhe ajo sjell pasojë edhe për shoqërinë dhe më pas krijon edhe një debat mbarëkombëtarë, por duhet të kemi kujdes për një gjë: Për shkak të mungesës së zhvillimeve politike në këto ditë, për shkak të mungesës së aktivitetit të parlamentit, të opozitës, mos të amplifikojmë gjërat përtej asaj që meritojnë, qoftë edhe një rast i rëndë si ky. Ne duam ta shikojmë në mënyrë më komplekse. Të mos lejojmë një ngjarje sado të rëndë të errësojë turizmin”, u shpreh Peza. (A2 Televizion)