
Mandatit katërvjeçar të këtij Kuvendi po i vjen fundi. Në sallën e Parlamentit do të ulen për herë të fundit deputetët e opozitës së re parlamentare të cilët do t’ia lënë stafetën të zgjedhurve nga radhët e PD-së dhe LSI-së.
Java e fundit e muajit qershor shënon edhe fundin e legjislaturës parlamentare. Deputetët e Kuvendit do të ulen për herë të fundit në sallën e parlamentit. Ndryshe nga tani ku ka 18 vakanca, në muajin shtator nuk do të ketë asnjë karrige bosh.
Kjo njihet edhe si parlamenti i pazakontë, i cili u reduktua në numra pas largimit të PD-së dhe LSI-së, duke prodhuar një opozitë të re parlamentare, ku sipas vendimmarrjes, nuk ngjason me një të tillë.
“Përbërja aktuale e parlamenti me atë që quhet opozitë e re është një aksident politik. Me përjashtim të 6-7 deputetëve, pjesa tjetër është praktikisht shtojcë e PS-së. Ata kanë votuar të gjitha vendimet politike që lidhen me PS-në. Parlamenti humbi”, shprehet Afrim Krasniqi.
Politologu Afrim Krasniqi e cilëson veprimtarinë e Kuvendit, sidomos të dy viteve të fundit si jo normale, jo vetëm për opozitën parlamentare, por edhe për vetë mazhorancën.
Por a do të përmirësohet cilësia e procesit ligjbërës në muajin shtator me rikthimin e PD-LSI?
“Nuk besoj të ketë ndryshim të madh në cilësi. Ikën një palë që ishte një aksident politik dhe vjen një palë që ka një agjendë politike. Janë individ militantë që nuk kanë ndonjë identitet politik, nuk kanë ndonjë CV profesionale”, shtoi Krasniqi.
Në dy vitet e fundit, mazhoranca nuk e pati të vështirë të miratonte një sërë aktesh të rëndësishme si zgjedhja e kryeprokurorit Olsian Çela, zgjedhja e tre anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese, dy ndryshime në Kodin Zgjedhor, ndryshimin e Kushtetutës, madje as shkarkimin e Presidentit. (A2 Televizion)