
Nga Shkodra ka nisur Turi i 76-të Çiklistik i Shqipërisë në të cilin marrin pjesë 11 ekipe profesioniste nga mbarë Europa, mes tyre edhe përfaqësuesja kuqezi. Çiklisti shqiptar Ylber Sefa u shpallur fitues i etapës së parë me itinerarin Shkodër - Lezhë- Reps- Shkodër, e gjatë 150 km.
Pjesë e përfaqësueses tonë janë edhe çiklistët Eugert Zhupa, Besmir Banushi, Bruno Kola e të tjerë. Mes 4 ekipesh profesioniste italiane, një skuadre belge, një kroate dhe një nga Greqia, Shqipëria kryeson renditjen ekipore pas etapës së parë, me një diferencë prej 22 sekondash nga vendi i dytë.
“Ishte e vështirë, sepse pata një shkëputje rreth 10 kilometra, isha diku rreth 30 sekonda nga pelotoni, por që në fund arrita të fitoja. Momentalisht jemi të parët në klasifikim dhe me çka kemi parë dje, mendoj që ekipet italiane nuk duket që janë edhe shumë të forta dhe kjo më bën të mendoj se do të arrijmë ta ruajmë vendin e parë”, tha Sefa. (A2 Televizion)