
Finalja e pestë ndërmjet Goga Basket dhe Teutës do të përcaktojë edhe fituesin e titullit kampion në basketboll për meshkuj.
Duke përfituar nga faktori fushë dhe për të krijuar superioritet ndaj rivalëve, Goga Basket vendosi të përjashtojë tifozët kundërshtarë nga ndeshja vendimtare.
Sipas Goga Basket, prej interesimit shumë të madh, i cili i kapërcen mundësitë e pallatit të sportit “Dhimitraq Goga”, por edhe për të shmangur tensionet në tribuna, klubit të Teutës do ti vendosen në dispozicion vetëm 5 për qind e biletave, edhe ato në formë ftesash.
Klubi durrsak reagoi, duke e cilësuar padrejtësi vendimin për të patur në dispozicion vetëm 35 vende me emra, nga 700 ulëse që është kapaciteti i impiantit. Teuta theksoi se në çdo duel, ekipit Goga Basket i janë lënë në dispozicion të paktën 25 për qind e ulëseve, ndërsa Federata e Basketbollit nuk ktheu asnjë përgjigje rreth kërkesës për spostimin e finales në sallën Feti Borova në kryeqytet. (A2 Televizion)