
Nis sot në vendin tonë vaksinimi i mësuesve me dozat e para të vaksinës AstraZeneca, që mbërritën mbrëmjen e djeshme në Shqipëri.
Përmes një statusi në Facebook ministrja Evis Kushi shprehet se vaksinimi i mësuesve është një ogur i mirë për rikthimin në normalitetin që duam.
" Një ogur shumë i mirë ky që shtron rrugën e rikthimit në normalitetin që duam në shkolla dhe në jetën e përditshme. Jam veçanërisht e lumtur që sot nis procesi i vaksinimit të mësuesve, heronjve tanë të palodhur, të cilët që nga dita e parë e pandemisë COVID-19 nuk e kanë ndalur sakrificën e përkushtimin e tyre ndaj nxënësve e procesit mësimor" - shprehet ajo.
Mbrëmjen e djeshme në vendin tonë kanë mbërritur 38,400 dozat e para të vaksinës AstraZeneca, të cilat shërbejnë për nisjen e procesit të vaksinimit për mësuesit dhe pedagogët. (A2 Televizion)