Nis sot vaksinimi masiv kundër Covid-19, Ministria e Shëndetësisë tregon si bëhet planifikimi

Nga A2 CNN
27 Mars 2021, 22:19 | Aktualitet
Nis sot vaksinimi masiv kundër Covid-19, Ministria e

Sheshin “Skënderbej” është bërë gati për të nisur sot vaksinimin masiv kundër koronavirusit që ka shkaktuar qindra mijëra humbje jete në mbarë botën.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga sheshi “Skënderbej”, ku po ngrihen çadrat për vaksinimin, tha se ambicia është për të vaksinuar mbi 10 mijë qytetarë në ditë.

Pasi bëri me dije se janë shpërndarë të gjitha dozat e nevojshme të vaksinave në Shqipëri, Manastirliu u shpreh se qytetarët do të kontaktohen nga mjeku i familjes për të bërë planifikimin e vaksinimit.

“Mjeku i familjes do të jetë lajmësi për vendin, datën dhe orën e kryerjes së vaksinës. Mjeku i familjes në bazë të një udhëzimi të përcaktuara nga strukturat e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor do të mundësojë thirrjen e kategorive, sipas grupmoshave që kemi vendosur në planin kombëtar të vaksinimit, duke filluar me grupmoshën +85 vjeç dhe +80 vjeç të cilët kemi vendosur t’i kryemë në qendrat e tyre shëndetësore por duke vijuar me grupmoshën +75 vjeç, por duke zbritur tek ajo +70 vjeç, të cilat do të kryhen në qendrat e vaksinimit të përqendruar”.

Gjithashtu, Manastirliu dha detaje se si do të jenë të organizuara çadrat e ngritura në sheshin “Skënderbej”, duke thënë: “Kjo qendër që është duke u punuar dhe do të hapet nesër, do të mundësojë kryerjen nga 800 deri në 1000 vaksinime në ditë. Planifikohet të kemi 10 poste të vaksinimit, 10 pika të regjistrimit, duke mundësuar kështu një regjistrim të shpejtë të qytetarëve, një kryerje të shpejtë të anamnezës, më pas vaksinimin dhe më pas vendosjen e posteve të postvaksinimit. Këto çadra do të kenë dhe ambiente ruajtje frigoriferike për vaksinat”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos