Një Bentley 2 milionë $, i zbukuruar me dru 5000-vjeçar

Nga A2 CNN
3 Mars 2020, 11:51 | Teknologji

Bentley ka zbuluar për publikun modelin Mulliner Bacalar, një makinë me vlerë 2 milionë $, pa çati, por me zbukurime të brendshme prej druri nga pemë të para 5000 viteve. Makina do të prezantohej zyrtarisht në Panairin e Gjenevës, por ai u anulua për shkak të shqetësimeve në lidhje me koronavirusin. Për këtë arsye Bentley vendosi ta bënte prezantimin “online”.

Mjeti luksoz, me të katërta rrotat aktive, ka një motor me 12 cilindra, me 650 kuaj fuqi, me 8 marshe. I emëruar si një liqen që ndodhet në gadishullin meksikan Yucatan, të famshëm për bukurinë e tij, modeli Bacalar ngjan me atë Continental GTC, por përveç dorezave nuk ka asnjë material të përbashkët. Makina e re do të peshojë më pak se ai Continental GTC (2414 kg), ndërsa do të arrijë një shpejtësi maksimale deri në 333 km/h, si dhe arrin nga 0 në 100 km/h në 3,8 sekonda.

Pjesa e brendshme është e zbukuruar me dru nga pemë të ruajtura në mënyrë natyrale për më shumë se 5000 vite, në lumenj, liqene të ndryshme të Anglisë dhe Britanisë së Madhe. Qëndrimi nën ujë për mijëra vite i ka dhënë drurit një ngjyrë të zezë të veçantë.

Bentley tha se do të prodhojë gjithsej 12 copë nga ky model, të gjitha të shitura tashmë. Makina do të prodhohet e gjitha në divizionin “Mulliner”, dikur një kompani më vete, që merrej me realizimin e karrocave luksoze për kuaj që në fillim të viteve 1760. Në vitin 1959, kompania u ble nga Bentley dhe u përdor për prodhimin e shasive të makinave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos