Trafik narkotikësh dhe pastrim parash, SPAK sekuestron pasuri me vlerë 77 milionë lekë

Nga A2 CNN
22 Tetor 2026, 13:18 | Kronikë

Trafik narkotikësh dhe pastrim parash, SPAK sekuestron pasuri me vlerë

Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar pasuri me vlerë totale 77 milionë lekë në kuadër të hetimeve për trafik narkotikësh, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme, datë 14 tetor 2026, është vendosur sekuestro preventive mbi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të dy shtetasve nën hetim dhe familjarëve të tyre.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë një tokë arë me sipërfaqe 2 mijë metra katrorë në Sharrë të Tiranës, kuotat 100% të shoqërisë “Check Company” sh.p.k., si dhe 25 automjete, përkatësisht 24 automjete Volkswagen dhe një Toyota.

Sipas SPAK-ut, hetimet kanë zbuluar një organizatë kriminale me shtrirje ndërkombëtare, e cila dyshohet se bashkëpunonte me grupe të tjera për transportimin e lëndëve narkotike drejt porteve evropiane dhe investimin e fitimeve në pasuri e biznese në Shqipëri dhe jashtë vendit.

Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me EUROPOL-in dhe autoritetet e Belgjikës, Francës, Holandës, Gjermanisë dhe Italisë, duke analizuar edhe komunikimet e enkriptuara në platformën SkyECC. Në kuadër të procedimit janë caktuar masa sigurimi personal ndaj 16 personave.

Njoftimi i SPAK

Sekuestrohen pasuri me vlerë 77 milionë lekë në kuadër të procedimit penal nr. 187/2023 për trafik narkotikësh dhe pastrim parash

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të procedimit penal nr. 187 të vitit 2023 ka zhvilluar paralelisht edhe hetimin pasuror. Ky hetim ka identifikuar pasuri që përbëjnë produkte të veprimtarisë kriminale në emër të subjekteve në hetim dhe familjarëve të tyre.

Me vendimin nr.667, datë 14.10.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë  caktoi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të shtetasve A.Ç. dhe F.C., me vlerë totale 77.000.000 lekë.

Në emër të shtetasit A.Ç:

Pasuria nr. 349/47, zona kadastrale 3321, vol. 12, faqja 5, “Tokë Arë”, me sipërfaqe 2000 m2, e ndodhur në Sharrë, Tiranë, në pronësi edhe të shtetases A.Ç.

Në emër të shtetasit F.C:

Kuota 100% të shoqërisë tregtare ‘Check Company Sh.p.k, në rrugën e Dibrës, Tiranë.

Gjithsej janë 24 automjete Volkswagen (modeli Ioniq5 dhe ID3, ID4 ) dhe 1 Toyota (modeli bZ3) në pronësi të kësaj kompanie.

 Veprat penale në hetim

Procedimi penal nr. 187/2023 përfshin veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a, 287, 333/a dhe 334 të Kodit Penal:

Trafik i lëndëve narkotike;

Pastrim i produkteve të veprës penale;

Grup i strukturuar kriminal;

Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.

 Shtetasit nën hetim janë: E.Ç, A.Ç, A.Ç (alias D.Ç), F.B (alias J.B), D.D, P.L (alias P.S.), F. G (alias F.Ç, alias F.H.Ç, S.P (alias V.P), G.Ç, R.M, M.K, M. M, E. Ç, R.Ç, K.Gj dhe D.P.

Rrjedha e hetimit

Organizata kriminale me shtrirje të gjerë ndërkombëtare bashkëpunonte me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet e lëndëve narkotike drejt porteve evropiane dhe investonte fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj. Hetimet përfshinë bashkëpunimin intensiv me EUROPOL dhe autoritete nga Belgjika, Franca, Holanda, Gjermania dhe Italia, u bazuan në analizën e të dhënave të komunikimit të enkriptuara të platformës SkyECC. Nga këto hetime janë zbuluar dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun, Anversin etj. Gjithashtu janë evidentuar rolet përkatëse të secilit prej pjesëtarëve të grupit kriminal si dhe është dokumentuar i gjithë zinxhiri i transferimit të shumave monetare të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Në kuadër të këtij procedimi penal janë caktuar masa të sigurimit personal ndaj 16 personave.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos