
Një avari e rëndë në rrjetin kryesor të furnizimit me ujë ka lënë pa ujë qytetin e Vlorës. Defekti është konstatuar në lagjen “10 Korriku”, në tubacionin me diametër 700 milimetra, i cili është funksional dhe furnizon qytetin përmes depos kryesore të ujësjellësit.
Për shkak të situatës së krijuar, Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë ka njoftuar stakimin e detyruar të stacioneve të ujësjellësit, duke sjellë ndërprerjen e furnizimit me ujë në të gjithë qytetin. Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrja është e domosdoshme për riparimin e plotë të defektit dhe rikthimin e furnizimit në kushte normale.
Ndërhyrja për riparimin e tubacionit parashikohet të jetë e vështirë, edhe për shkak të pozicionit të tij, pasi kalon pranë një banese private në lagjen “10 Korriku”. Kjo situatë e bën më të komplikuar punën e ekipeve teknike, të cilat duhet të ndërhyjnë për eliminimin e avarisë në tubacionin kryesor.
Defekti në këtë linjë ka sjellë ndërprerjen e furnizimit jo vetëm në zonën ku është konstatuar problemi, por edhe në pjesën tjetër të qytetit, duke prekur një numër të madh abonentësh.
Sipas informacionit të bërë publik nga Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, furnizimi me ujë do të mbetet i ndërprerë deri në riparimin e plotë të avarisë. Për momentin nuk është bërë e ditur një orar i saktë për përfundimin e punimeve dhe rikthimin e furnizimit. (A2 Televizion)