
Një ofertë e ‘çmendur’ me vlerë 1 milionë paund që vjen nga Lindja e Mesme, ka trokitur në derën e yllit argjentinas Lionel Messi.
Foot Merkato raporton se shtatë herë fituesi i Topit të Artë do të ketë një pagë që shkon në dyfishin e asaj që Cristiano Ronaldo merr nga Al Nassr nëse ai pajtohet me kushtet e marrëveshjes që i është propozuar.
Nëse Messi do të firmoste kontratën me Al Hilal rivaliteti i tij me CR7 do të rikthehej si në kohën kur të dy luanin në ligën spanjolle me Barcelonën dhe Real Madridin.
Edhe pse e intrigon dueli me Ronaldon, Messi preferon të mbetet në Europë dhe dëshira më e madhe mbetet rikthimi te Barcelona.
Për t’a bërë të mundur këtë, kampionët e La Ligës kanë kërkuar ndihmën e David Beckham.
Sipas L'Equipe, Barça po shqyrton një plan që do të shihte ekipin e anglezit, Inter Miami, në sulm për të nënshkruar me Messin dhe më pas të realizohej huazimi i tij nga MLS në Spanjë.
Huazimi i Messit do të zgjaste 6 ose 18 muaj përpara se ‘Pleshti’ të transferohej përgjithmonë në MLS.
Edhe tekniku i Barçës, Xavi, duket gjithnjë e më i sigurt për ta rikthyer Messin në klubin ku së bashku shkruan historinë në futboll.
“Tifozët tanë kanë nisur të përm4endin emrin e Leo Messit në çdo ndeshje. Më pëlqen ndjenja, por më besoni, rikthimi i Leo Messit varet vetëm nga ai. Unë do të thoja se varet 99% nga Messi", tha ai për TV3.cat. (A2 Televizion)