
Goce Sedloski nuk do të jetë më trajner i Vllaznisë. Klubi shkodran vendosi të mos rinovojë kontratën me trajnerin, menjëherë pas mbylljes së sezonit. Teknikut maqedonas nuk i mjaftoi as fakti që e udhëhoqi skuadrën drejt biletës së fundit në kupat e Europës.
Vllaznia e mbylli kampionatin në vendin e katërt, vend të cilin e siguroi në javën e fundit, ku fitorja ndaj Bylisit u kombinua me humbjen e Teutës përballë Partizanit. Shkodranët do të luajnë në Conference League, por ky ishte objektivi minimal i përcaktuar nga klubi.
“Klubi i Futbollit Vllaznia njofton të gjithë opinionin sportiv se kontrata me trajnerin Goce Sedloski ka përfunduar. Duke e falënderuar për punën e bërë gjatë kësaj periudhe me skuadrën tonë, klubi i uron suksese në karrierën e tij të mëtejshme!”, thuhej në njoftimin zyrtar.
Kuqeblutë e nisën sezonin me ambicie të mëdha, duke pretenduar të fitonin titullin kampion pas më tepër se dy dekadash. Një alternativë ishte konfirmimi me kupën e Shqipërisë, trofe të cilin e kishin fituar në dy edicionet e fundit. Megjithatë, ecuria e skuadrës nuk ishte ajo që pritej.
Sedloski zëvendësoi Mirel Josën në fillim të prillit, por vetëm pas dy muajve largohet nga klubi. Karriera e pasur si lojtar në Kroaci dhe Premier League angleze nuk i mjaftoi. As ecuria për rekord me Shkupin, skuadër që e udhëhoqi në fazën play-off të kupave të Europës. Vllaznia vendosi të ndryshojë sërish projekt dhe tashmë është në kërkim të një trajneri të ri. (A2 Televizion)