
Një fundjavë e vështirë për Cristiano Ronaldo-n pasi Juventus pësoi humbjen e dytë në tri ndeshjet e fundit dhe tani e sheh veten në vend të dytë në renditje, edhe pse me pikë të barabarta me Inter-in.
35-vjeçari u duk se do të festonte ditëlindjen me një tjetër fitore, kur shënoi golin e epërsisë për bardhezinjtë, duke vendosur edhe një rekord personal, pasi realizoi për të dhjetën ndeshje radhazi, ndërsa renditet i dyti në listën e golashënuesve me 20 gola, 5 më pak se Ciro Immobile i Lazio-s.
Përfundimi i takimit kundër skuadrës së mbrojtësit shqiptar Marash Kumbulla duket se nuk është përtypur nga portugezi, i cili, sipas “Tuttosport”, nuk pranoi të takohej me tifozët dhe të bënte foto me ta.
Por pavarësisht nga gjithçka, CR7 i është rikthyer stërvitjes intensive këtë të hënë, duke kombinuar stërvitjen intensive me kohën që kalon në familje. “Nuk ka justifikime”, shkroi portugezi në llogarinë e tij në Instagram. (A2 Televizion)