
Kryeministri Edi Rama bëri deklarata të forta në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, përsa i përket procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.
Kreu i qeverisë kërkoi të hiqet dorë nga shprehjet, se negociatat u bllokuan nga faktorë të tretë dhe shtoi se nuk ka të ardhme të Europës pa Ballkanin Perëndimor.
“Ne jemi këtu për të luftuar. Ne nuk po kërkojmë licencë për të qenë europianë. Ne jemi europianë, çfarëdo të mendojnë njerëzit e BE. Ne jemi europianë dhe sinqerisht i jam mirënjohës kryeministrit se në këtë diskutim për të ardhmen e Europës, ne u ftuam. Natyrisht është një takim anësor. Është shumë dramatike dhe qesharake të shohësh BE-në të angazhohet në diskutime për të ardhmen e Europës dhe ne nuk ftohemi.
Të paktën, për mirësjellje të ndryshojnë emrin dhe ta bëjnë ardhmja e Bashkimit Europian sepse nëse është e ardhmja e Europës, ne jemi Europë. Nuk ka asnjë të ardhme të Europës pa Ballkanin perëndimor, brenda BE. NËse BE do të vazhdojë kështu nuk do të jetë mirë për ne por do të jetë dhe më keq për vetë Unionin. Mos përmendni më faktorët e tretë se është shumë qesharake”, tha Rama. (A2 Televizion)