
Kristjan Asllani, në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, iu kthye rastit të pastër që pati në ndeshjen ndaj Barcelonës, në “Camp Nou”, në sekondat e fundit të ndeshjes.
Nëse do të kishte shënuar, Inter do të fitonte 4-3 ndaj katalanasve dhe do ta kishte mbyllur aty çështjen e kualifikimit për në raundin tjetër të Champions League.
“Edhe pse nuk dua ta kujtoj, ma kujtojnë njerëzit në rrugë. Bezdisem pak, por e pranoj që ndenja 4 netë pa gjumë pas asaj mbrëmjeje. Aksionin e kam të ngulitur në mendje dhe çdo natë i kthehesha”, shprehet futbollisti shqiptar.
Më tej, ai tregon se çfarë i kaloi në kokë në ato sekonda përballë portierit Ter Stegen: “Doja ta pasoja topin me të parën te Mkhitaryan, por vendosa ta ndaloja dhe më pas t’ia pasoja. Stopimi e zgjati paksa topin para meje dhe u mbyll hapësira. Më pas, vendosa të shënoj vetë, por nuk më eci”. (A2 Televizion)