Nuk u lejua të stërvitej, FSHB reagon: Kombëtarja nuk mund të konsiderohet qiraxheshë në vendin e vet

Nga A2 CNN
9 Gusht 2019, 16:28 | Sporte të tjera
Nuk u lejua të stërvitej, FSHB reagon: Kombëtarja nuk mund

Kombëtarja shqiptare e basketbollit për meshkuj nuk u lejua që të kryente stërvitjen e fundit përpara ndeshjes ndaj Danimarkës në sallën sportive të lojërave me dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës.

Shkak u bë një kontratë e pafirmosur mes palëve.

Sot, Federata Shqiptare e Basketbollit ka reaguar duke thënë se “preteksti dhe presioni i përdorur nga Agjensia e Parqeve dhe Rekreacionit për nënshkrimin e një kontrate–pagesë nuk duhej kurrsesi të vendoste mbylljen e dyerve për ekipin kombëtar shqiptar”.

“Duhet theksuar këtu se, gjatë përurimit të sallës në ditët e para të qershorit të 2017-s, është thënë publikisht nga drejtuesit e qeverisë shqiptare, por edhe të pushtetit vendor, se kjo sallë do të ishte shtëpia e sportit dhe shtëpia e ekipeve kombëtare. Kjo është e lehtësisht e verifikueshme, mjafton t’u referoheni kronikave të kohës. Për këtë arsye e gjejmë plotësisht të pakuptimtë dhe absolutisht të papranueshme përpjekjen për të imponuar një tarifë për stërvitjet apo ndeshjet e ekipeve përfaqësuese të vendit. Sepse nuk mundet të konsiderohet qiraxheshë Kombëtarja Shqiptare në vendin e vet”, lexohet në komunikatë.

“Federata Shqiptare e Basketbollit është e ndërgjegjshme dhe i respekton ligjet dhe legjislacionin në fuqi dhe për këtë arsye, ne i kemi bërë Bashkisë së Tiranës, nëpërmjet Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, pagesat për zhvillimin në këtë sallë sportive të fazës finale të Ligës Ballkanike në Basketboll për Meshkuj, por edhe të Divizionit C të Kampionatit Evropian të Basketbollit për Meshkuj për Nën-16-vjeçarët, edhe pse të dyja këto veprimtari ishin më tepër çështje të përfaqësimit të Shqipërisë në arenën sportive ndërkombëtare sesa çështje komerciale. Theksojmë këtu se këto pagesa kanë gllabëruar 10% të gjithë buxhetit vjetor të Federatës Shqiptare të Basketbollit të akorduar nga akorduar nga Buxheti i Shetit. Por FSHB-ja nuk mund të pranojë që Kombëtarja të trajtohet si çështje komerciale, pasi nuk është kurrsesi e tillë, por është çështje e përfaqësimit të vendit, sepse ajo përfaqëson flamurin, ngjyrat dhe himnin kombëtar. Për këtë arsye, e gjejmë të pavend imponimin e kësaj pagese për ekipin kombëtar dhe të turpshme mbylljen e dyerve për ekipin kombëtar, një veprim i paprecedent që ka ardhur në fakt pas disa tentativave të mëparshme të ngjashme”, shtohet në komunikatën e FSHB-së.

Në fund, komunikata thekson se “në asnjë vend të botës, ekipi kombëtar i basketbollit nuk paguan për stërvitjet e tij dhe kjo e bën ngjarjen e së enjtes pasdite të paprecedent dhe të turpshme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos