
Mbi 20 milionë doza të vaksinave anticovid janë shpërndarë në 20 vende të botës nën nismën Covax. Njoftimi është bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Shqipëria është pjesë e kësaj nisme për blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave, por deri më tani nuk ka marrë asnjë dozë të vetme.
Vendet që kanë përfituar janë kryesisht nga Afrika, Amerika e Jugut dhe Azia. OBSH bëri me dije se javën e ardhshme, nisma Covax do të shpërndajë dhe 14,4 milionë vaksina për në 31 shtete të tjera, por pa saktësuar se kush janë. Më 1 mars, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh se brenda 10 ditëve priten edhe 14 mijë e 400 doza të tjera të vaksinës Astrazeneca në kuadër të programit Covax.
Sekretari i përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se sfidë kryesore mbetet kapaciteti i ulët i prodhimit të dozave.
“Aktualisht po hasim disa pengesa në rritjen e shpejtësisë dhe volumit në prodhimin e vaksinave, nga ndalimet e eksportit e deri te mungesa e materialeve bruto, përfshirë xham dhe plastikë. OBSH po punon në 4 drejtime. Kryesorja është të lidhim kompanitë që prodhojnë vaksina me firma të tjera që kanë aftësi të mbushin dhe paketojnë”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, sekretari përgjithshëm i OBSH.
Mënyra e dytë ka të bëjë me transferimin e teknologjive prodhuese të vaksinave, por që ngre dyshime për mungesë transparence. Zgjidhja e tretë për përshpejtimin e sigurimit të dozave anticovid është krijimi i një mekanizmi koordinimi global nën mbikëqyrjen e OBSH-së. Ndërsa e fundit është që zhvilluesit e vaksinave të heqin dorë nga e drejta autoriale për të lejuar prodhimin e tyre në masë.
(A2 Televizion)