
Rreziku i një “aparteidi klimatik” po rritet ndjeshëm në planetin tonë, ku të pasurit paguajnë për t’i shpëtuar të nxehtit dhe urisë së shkaktuar nga kriza klimatike e përshkallëzuar, ndërsa pjesa tjetër e botës vuan.
Paralajmërimi vjen nga një raport i ekspertit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat humane. Philip Alston thotë se impakti i ngrohjes globale ka shumë gjasa që të minojë jo vetëm të drejtat bazike të njeriut për jetë, ujë, ushqim dhe strehim për qindra miliona persona, por edhe demokracinë e sundimin e ligjit. Alston, raportues special për varfërinë ekstreme dhe të drejtat e njeriut, kritikon ashpër hapat e ndërmarra në mënyrë jo të përshtatshme nga OJQ-të, bizneset dhe vetë OKB, duke theksuar se ato janë plotësishtnë në disproporcion të urgjencës dhe magnitudës së kërcënimit.
“Ndryshimet klimatike kërcënojnë të zhbëjnë progresin e 50 viteve të fundit zhvillim në shëndetësinë globale dhe në reduktimin e varfërisë. Risku i komuniteteve të pakënaqura, rritjes së pabarazisë dhe nivelet e mëdha të privimit në disa grupe, me shumë gjasa do të stimulojnë nacionalizmin, ksenofobinë, racizmin dhe përgjigje të tjera”, tha Alston.
Paralajmërimi më serioz i raportit është se të varfërit në botë do jenë më të goditurit nga rritja e temperaturave dhe mungesa e ushqimeve si dhe konfliktet që mund të shoqërojnë një ndryshim të tillë. Një tjetër zbulim është se të varfërit paguajnë pasojat e mënyrës së jetesës së të pasurve, pasi pjesa më e madhe e ndotjes klimatike krijohet nga vendet shumë të zhvilluara. (A2 Televizion)