
Presidenti slloven, Borut Pahor, i rezervoi një pritje me nderimet më të larta shtetërore homologes nga Kosova, Vjosa Osmani. Fillimisht zhvilluan një takim e më pas dolën në konferencë për shtyp. Në fokusin e tyre ishte natyrisht dialogu Prishtinë-Beograd dhe shanset për një rigjallërim të procesit duke kthyer takimet e nivelit të lartë.
“Sa i përket dialogut me Serbinë, procesi po vazhdon, ka pasur takime në nivel të kryenegociatorëve dhe shumë shpejt, besoj gjatë korrikut, por kjo varet nga lehtësuesit europianë, ne do të kemi një takim të nivelit të liderëve”, tha Vjosa Osmani.
“Ne dëshirojmë të ringjallim dialogun mes Prishtinë dhe Beogradit. Sllovenia është mike e mirë të të dyja shteteve dhe ne dëshirojmë që ky dialog të jetë i sinqertë dhe të japë rezultate, jo vetëm në formën e marrëveshjeve, por edhe në zbatimin e tyre”, tha Borut Pahor, president i Sllovenisë.
Çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nuk mbeti jashtë këtij takimi. “Tani është në dorën e shteteve anëtare që ta finalizojnë dhe përmbyllin këtë proces që është një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës. Ne presim që kjo të ndodhë në muajt e ardhshëm”, tha Osmani.
“Ne presim nga partnerët tanë europianë që të përmbushin premtimet e tyre dhe këtu e kam fjalën për liberalizimin e vizave. Ka një dakordësi për këtë dhe do të ishte e padrejtë që këto diskutime të rihapen”, tha Pagor.
Osmani po viziton Slloveninë me ftesë të homologut Pahor. (A2 Televizion)